Letër Presidentit Bujar Nishani në lidhje me keqpërfaqësimin e NATO-s nga zv.shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë

Toronto, 8 prill 2012

Drejtuar:           Bujar Nishani,

President i Republikës së Shqipërisë,

Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Për dijeni:         Arben Imami
Ministër i Mbrojtjes

Gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi,
Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të RSh.

Adriatik Llalla,

Prokuror i Përgjithshëm i RSh

NATO Headquarters Tirana,

Public Information Office

I nderuar z. President,

Më datë 1 prill 2013, në gazetën “Panorama” kemi lexuar një shkrim nga z. Sandër Lleshi, zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me titull “NATO, aleanca jonë”.

Në shkrimin në fjalë z. Lleshi ndërsa përshëndet anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut – NATO, hedh disa teza të cilat janë sa të pasakta shkencërisht/historikisht, aq edhe shqetësuese për qytetarët shqiptarë që janë shekullarë apo që i përkasin besimeve e bindjeve të ndryshme. Shkrimi i z. Lleshinisme një rrëfim fetar të ndarjes së Kishës Romake në dy degë në vitin 1054 – në Kishën Katolike dhe Ortodokse. Më pas ai e lidh fatin e Shqipërisë (Arbërisë) me këtë histori mesjetare kishtare dhe vajton ndarjen e Arbërisë nga Kisha Katolike dhe qëndrimin e saj nën perandorinë bizantine dhe më pas osmane. Këtë të kaluar mesjetare ai e lidh me realitetet moderne të Shqipërisë, ku sipas tij, pas 1000 vitesh jetesë nën bizantinët ortodoksët dhe osmanët muslimanë, në 1 prill të vitit 2009 kur Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, ndasia mori fund. Për të “festuar” anëtarësimin e vendit tonë në NATO, zv. shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë sonë përdor edhe një terminologji katolike duke brohoritur “Haleluja” – tamam siç brohorasin muxhahidinët islamik kur thonë “Allahu Ekber”. Për fat të keq, zotëria në fjalë futjen e Shqipërisë në NATO e sheh si vijimësi të luftës mesjetare të Skënderbeut për krishtërimin kundër muslimanëve.

Edhe pse shkrimi në fjalë përmban edhe terma modernë, ku NATO tregohet si një aleancë ushtarake e cila “bashkon kombe që ndajnë vlera të përbashkëta të lirisë, demokracisë” etj, analogjia fetare e shkrimit është sa shqetësuese aq edhe e gabuar.

Forumi Shqiptar i Kanadasë është konsultuar me dokumentet zyrtare të NATO-s, dhe ka konstatuar që NATO nuk është një organizatë kristiane e për më tepër katolike. Themeluar gjatë Luftës së Ftohtë me marrëveshjen e Aleancës së Atlantikut Verior në 4 prill 1949, qëllimi i saj është të mbrojë vendet anëtare të saj, të cilat ndërsa janë përgjithësisht shekullare, kanë popullata me origjina protestante, katolike, muslimane dhe ortodokse. Anëtare të NATO-s janë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe Greqia ortodokse e Turqia muslimane, dhe aleanca ushtarake ku bën pjesë edhe Shqipëria, sigurisht që nuk është aleancë katolike që lufton për Kishën Katolike apo aleancat e Skënderbeut siç aludon z. Lleshi.

Terminologjia fetare që z. Lleshi përdor në shkrimin e tij, përveçse problematike në rrafshin ndërkombëtar, është akoma dhe më shqetësuese në planin kombëtar, sepse së pari, bie ndesh edhe me vetë Kushtetutën e Republkës së Shqipërisë, mbi të cilën, duke filluar që nga ju z President, edhe ai vetë, është betuar. Sipas Nenit 10 të Kushtetutës: “Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare”, që do të thotë se Republika e Shqipërisë është asnjëanëse dhe e barazlarguar në çështjet e besimit fetar. Akoma më tej, Neni 12 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë garanton “parimin e asnjëanësisë” së forcave të armatosura shqiptare ndaj çështjeve politike, fetare, etj, duke vendosur si detyrë themelore ndaj tyre që të “sigurojnë pavarësinë e vendit, si dhe mbrojnë tërësinë territoriale dhe rendin e tij kushtetues.” Por ajo që bën z. Lleshi në shkrimin e tij, është dhunimi i këtyre dy parimeve themelore kushtetuese mbi të cilat është ngritur Republika e Shqipërisë, dhe vendosja para tyre, e parimeve mesjetare të kryqëtarëve përgjatë kryqëzatave të përgjakshme ndaj muslimanëve, për të cilat edhe vetë Papa Gjon Pali II ka kërkuar ndjesë publike.

Së dyti, gjuha e kryqëzatave që ka përfshirë frymën dhe fjalën e shkrimit të z. Lleshi, është aq e rrezikshme, saqë do të mund të klasifikikohej edhe si vepër penale e parashikuar nga Neni 73 i Kodit Penal Ushtarak. Sipas këtij neni: “Kur ushtaraku gjatë kryerjes së detyrës shtetërore bën dallime mbi baza origjine, seksi, gjendjeje shëndetësore, bindjeje fetare, politike, të përkatësisë së një etnie, kombësie, race apo feje të caktuar, që shprehen në krijimin e privilegjeve të padrejta ose në refuzimin e një të drejte ose përfitimi që buron nga ligji, dënohet me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në pesë vjet.”

Së treti, gjuha dhe fryma e shkrimit të z Lleshi bien ndesh edhe me Statusin e Forcave të Armatosura pjesë e të cilës ai vetë është. Sipas Nenit 16/d të Statusit të Ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë specifikohet që ushtaraku i FA të Republikës sonë duhet “të ushtrojë të drejtën e besimit dhe veprimtarisë fetare, jashtë territorit të repartit ose institucionit ushtarak dhe pa uniformë ushtarake”. Duket qartazi qe z. Lleshi këtë detyrim ligjor e ka lënë mënjanë, madje bën thirrje publikisht me anë të gazetës “Panorama” për t’u bashkuar drejt kauzës katolike nëpërmjet gjuhës që përdor.

Në rastin e shkrimit të z. Lleshi, ku ai shfaqet i veshur me rrobë ushtarake, dhe në fund të shkrimit vetes i jep titullin zyrtar “Gjeneral Brigade, zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë”, por që në shkrim flet për ndarjen e Krishtërimit, dhe NATO-n e tregon si vijuese të Kishës Katolike kundër Bizantit dhe Perandorisë Osmane, konstatojmë edhe shkelje të tjera të karakterit politiko-ligjor. Të tilla janë: shtrembërimi i imazhit të NATO-s dhe fetarizimi i imazhit të kësaj organizate shekullare; si dhe anësia e padrejtë fetare që shfaq ky drejtues i lartë i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në dëm të feve dhe qytetërimeve të tjera, ndërkohë që shkruan në emër të detyrës ushtarake që ai ka.

I nderuar z. President,

Mbështetur në shkeljet e mësipërme kushtetuese, të së drejtës ndërkombëtare publike me anë të defamimit që ai i bën NATO-s, të konsumimit të veprës penale të parashikuar nga Kodi Penal Ushtarak, si dhe të shkeljes së Statusit të FA të Republikës së Shqipërisë, ne u bëjmë thirrje ju personalisht, si President dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë që të merrni masat e nevojshme e urgjente ndaj ushtarakut në fjalë, duke e larguar sa më parë e përfundimisht nga trupa e forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë si një individ që cënon rëndë figurën e ushtarakut, rendin kushtetues, shekullarizmin e shtetit dhe keqpërfaqëson NATO-n. Po ashtu, të njëjtën thirrje ua drejtojmë edhe Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, Gjeneralmajor Xhemal Gjunkshit, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Prokurorit të Përgjithshëm z. Adriatik Llalla, si dhe autoriteteve më të larta të NATO-s në Shqipëri, për të nisur menjëherë procedimet e parashikuara nga ligji.

 

 

Ju falenderojmë paraprakisht,

Në emër të Kryesisë së Forumit Shqiptar të Kanadasë

Rexhep Karruku

Kryetar Nderi

Toronto,Ontario, Kanada

Comments are closed.